Pandemia i detyroi njerëzit të vlerësojnë natyrën e pastër
Prof. Ivica Milevski
Instituti për Gjeografi, Fakulteti Matematiko – Natyror – UKM
Pandemia e cila ende po vazhdon, dhe po zgjat disa muaj, përpos pasojave negative, na detyroi të mendojmë për vlerat e vendosura në lidhje me natyrën dhe qasjen tonë ndaj saj. Jemi dëshmitarë se me zvogëlimin ose kufizimin e aktiviteteve të njeriut, natyra gradualisht i kthehet normalitetit të saj. Kjo do të thotë se njeriu ushtron presion të madh mbi të, duke e shtypur, degraduar dhe duke zvogëluar efektin e saj pozitiv.
Kur u paraqit pandemia, të mbyllur në karantinë, gjithnjë e më tepër njerëz ndjenë nevojë të dalin dhe të shëtisin në pyllin më të afërt, në mal ose të argëtohen në ndonjë peizazh interesant natyror. Njëkohësisht, shumicës iu bë e qartë se çfarë efekti të fuqishëm ka natyra e pastër mbi shëndetin tonë. Jo rastësisht, pikërisht gjatë dy muajve të kaluar, në mënyrë drastike u rrit interesi për qëndrim në fshat ose në mjedise rurale, sa më afër natyrës së pa prekur. Gjendja ndoshta së shpejti do të kthehet në normalitet, mirëpo do të ngelë nevoja dhe angazhimi gjithnjë e më i madh për ruajtjen, kultivimin dhe mbrojtjen e natyrës, që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte reflektohet mbi shëndetin tonë.
Pikërisht prandaj, segmenti i vetëm i turizmit që shënoi rritje gjatë dy tre muajve të kaluar ishte turizmi rural. Ata të cilët periudhën e kaluar i ndjenjë të gjitha të mirat e natyrës, me siguri e kuptuan dhe e kuptojnë nevojën për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj maksimale. Shpresojmë se këtë duhet ta kuptojnë edhe gjithë të tjerët.
Në këtë drejtim, prerja tepër e madhe e drurëve të pyllit, shkatërrimi i llojeve bimore dhe kafshëve, duhet të reduktohet në minimum, ndërsa nëse është e mundur të fillojë proces i kundërt i kthimit të pyjeve, në veçanti në malet shumë të bukura që i kemi. Gjithashtu, nevojitet edhe promovim më i madh, popullarizim dhe angazhim për zhvillimin e trupit të shëndetshëm dhe shpirtit të shëndetshëm, përmes shëtitjeve të rregullta në mal dhe vizitës më të shpeshtë të peizazheve natyrore. Gjatë gjithë kësaj, duhet mbajtur llogari për ndotjen e natyrës, të mos hidhen mbetje të ndryshme, të mos shkaktohen zjarre dhe efekte të tjera negative, me të cilat do të degradojmë natyrën.
Institucionet nga ana e tyre përmes fushatave promovuese, por edhe politikës ndëshkuese, duhet të mundësojnë mbrojtje të vërtetë funksionale të rajoneve tona të mbrojtura me ligj, siç janë parqet nacionale, përmendoret e natyrës etj. Në këtë drejtim është e pritshme së shpejti të ndodhë shpallja e parkut nacional “Mali Sharr”.